Rreth Meje
Zona që përfaqëson: Qarku Shkoder.
Deputete, Sekretare e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme
Rreth Marjanës
Marjana Koçeku ka lindur në Shkodër në vitin 2000, në një familje të thjeshtë tradicionale malësore të Dukagjinit. Mes vlerave të forta familjare dhe identitetit të zonës nga vjen, ajo është rritur në një familje që për bazë jetese ka pasur bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin, e më pas turizmin.
Shkollën e mesme e kreu në Shkodër, në gjimnazin jezuit “Atë Pjetër Meshkalla”. Pas përfundimit të studimeve të larta me ekselencë në degën “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare” në Tiranë, një eksperience Erasmus+ në Universitetin e Gjenovës në Itali dhe punës si kërkuese shkencore junior në disa institute për zhvillim dhe politika të Bashkimit Evropian, ajo vendosi të rikthehej në vendin e origjinës, në Shosh të Dukagjinit, ku u rrit dhe ku më pas nisi rrugëtimin në sipërmarrje.
Veç studimeve BA në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, mban titullin MSc në Menaxhim të Turizmit të Qëndrueshëm nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër.
Historia
Që në moshën 10 vjeçare u rrit në turizëm falë punës se prindërve dhe familjes në luginë ku ishin dhe pionerët e turizmit në të gjithë zonën. Me një baba tipik malsor dhe kapiten dhe nënën shtëpiake, bujkeshë dhe artizane, u frymëzua më tej për agroturizmin “Neomalsore”, i pari në zonën e Alpeve verilindore, krijuar me synimin për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore, historinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe gastronominë lokale. Falë punës dhe pasionit për vendin e turizmin, sipërmarrja e saj tërhoqi vëmendjen e mediave më të njohura botërore si: Financial Times, Reuters, CNN, Rai Uno, Arte etj ku vetëm falë promovimit që ajo bëri në kto nivele globale, rreth 50 mijë turistë më shumë mund ta kenë vizituar veriun e Shqipërisë dhe Alpet.
Me dëshirën e vullnetin e fortë që kontributin e saj ta çonte përtej origjinës, ajo në mars të vitit 2025, pranoi ftesën dhe mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama dhe për t’iu bashkuar skuadrës së kandidatëve për deputetë në Qarkun Shkodër, si kryesuese e listës. Sot, si deputetja më e re në moshë në Parlament dhe e vetmja e shekullit të ri, ajo përfaqëson me përkushtim njerëzit që i kanë dhënë besimin dhe frymëzimin për të qenë aty, sidomos banorët e rininë e zonave rurale.
Si sipërmarrëse në fushën e turizmit dhe aktualisht si përfaqësuese në Kuvendin e Shqipërisë, ajo është e përkushtuar kryesisht në sektorin e turizmit të qëndrueshëm por edhe mbrojtjes sociale dhe çështjeve të integrimit.
Misioni & vlerat
Si figurë publike dhe përfaqësuese e Qarkut Shkodër, detyra ime parësore është të sjell një model të njeriut punëtor, të thjeshtë, të përkushtuar dhe dinjitoz. Unë besoj se politika duhet të jetë ajo që shkon drejt njerëzve më shumë sesa njerëzit drejt politikës. Forcën, frymëzimin dhe mësimet më të mëdha në jetë, unë i kam gjetur mes njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.